Hasani: Nuk përjashtohet moskonstituimi i Kuvendit dhe ndërhyrja e Kushtetueses
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se është në dorë të politikës që, brenda parimeve kushtetuese, të gjejë zgjidhje për ngërçin aktual politik.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani nuk e përjashtoi mundësinë që Kuvendi i Kosovës të mos konstituohet brenda afatit 30-ditor dhe se Gjykata Kushtetuese mund të aktivizohet sërish sipas procedurave ligjore dhe kushtetuese.
Hasani, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha se aktgjykimi i fundit i Kushtetueses është i qartë, por se, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje mund të mos respektojë afatin 30-ditor. Ai shtoi se sjellja e kryeministrit Albin Kurti mund të çojë drejt pengimit të konstituimit të Kuvendit.











