KQZ pranon vendimin e PZAP për Listën Serbe, ankesa mund të bëhen në Supreme brenda 48 orëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar pranimin e vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai shtoi se palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme dhe KQZ do të presë që vendimi të marrë formën e prerë. PZAP kishte anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, i cili kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe, duke argumentuar se vendimi nuk ishte i bazuar në ligj dhe nuk provohej që kandidatët ishin në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.










