Arrestohet një person në Zveçan, i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se një person me inicialet L.M. është arrestuar në komunën e Zveçanit, nën dyshimet për përfshirje në sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Arrestimi u bë pas hetimeve disa mujore nga hetuesit policorë, dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
L.M. po hetohet për disa vepra penale, përfshirë “bashkim për veprimtari kundërkushtetuese”, “rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, si dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
Me autorizim të prokurorit, janë kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur prova materiale që lidhen me veprimet e tij. Brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj L.M. në Gjykatën Themelore në Prishtinë.











