#Lajme

Zyrtarë amerikanë pritet të marrin pjesë në seancat e Speciales ku nis mbrojtja e Thaçit

Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara pritet të jenë të pranishëm në seancat e Gjykatës Speciale në Hagë, ku mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi do të fillojë paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve.

Sipas një dokumenti të Speciales, SHBA-të kanë dhënë miratimin për dëshminë e një dëshmitari të identifikuar si 1DW-003, duke vendosur një sërë kushtesh mbi mënyrën e marrjes në pyetje. Këto përfshijnë kufizimin e fushës së ekzaminimit direkt vetëm në tema të caktuara, kufizimin e kundër-ekzaminimit në pyetjet e parashtruara dhe çështjet që lidhen me besueshmërinë e dëshmitarit, si dhe të drejtën e këtij të fundit për të refuzuar përgjigjet për arsye konfidencialiteti.

Gjithashtu, pala amerikane ka kërkuar që përfaqësuesit e saj të jenë të autorizuar të marrin pjesë gjatë dhënies së dëshmisë. Një kërkesë formale për këto masa pritet të dorëzohet së shpejti.

Më 18 gusht, mbrojtja e Thaçit ka marrë konfirmimin nga autoritetet amerikane për përdorimin e deklaratës dhe dëshmisë së dëshmitarit 1DW-003, i cili mbetet anonim për publikun.