Zyrtar policor sulmohet në autoudhën “Ibrahim Rugova”, i dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes
Një zyrtar policor është sulmuar fizikisht mbrëmjen e djeshme në autoudhën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të fshatit Tërnje të Suharekës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, teksa ai po udhëtonte jashtë detyrës zyrtare drejt Prishtinës.
Zyrtari kishte vërejtur dy automjete të ndaluara në shiritin anësor dhe, për shkak të mjegullës së dendur, u kishte kërkuar personave në vendngjarje të merrnin masa sigurie për të shmangur ndonjë aksident. Gjatë kësaj kohe, një person ende i paidentifikuar – dyshohet të ketë qenë pasagjer në një autobus – e ka sulmuar dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Pas incidentit, zyrtari u paraqit në Stacionin Policor të Suharekës rreth orës 21:30, pasi paraprakisht kishte marrë trajtim mjekësor në QKMF Suharekë. Sipas burimeve nga hetimet, Policia ka nisur kërkimet për identifikimin e të dyshuarit, por ai ende nuk është gjetur.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti po hetohet si “sulm ndaj personit zyrtar”.











