#Botë

Zvicra përfshihet nga reshjet e borës, bllokohet qarkullimi në disa akse rrugore

Zvicra është përfshirë sot nga reshje të dendura bore, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullimin rrugor. Në Bettmeralp të kantonit Wallis dhe në First të Grindelwaldit në kantonin Bern, qytetarët u zgjuan me një peizazh të mbuluar nga bora.

Sipas “Meteo Schweiz”, kufiri i borës është regjistruar mes 1800 dhe 2100 metrave, ndërsa në Alpet perëndimore dhe jugore trashësia e borës ka arritur deri në 50 centimetra.

Reshjet kanë detyruar autoritetet të mbyllin përkohësisht kalimin e Gotthardit në të dy drejtimet, si dhe rrugët Tiefenbach–Gletsch dhe Wassen–Meiringen, të cilat aktualisht janë të pakalueshme.

Ndërkohë, në zonat më të ulëta të vendit ka rënë shi. Parashikimet sinoptike tregojnë se e diela pritet të jetë kryesisht e thatë, me temperatura deri në 18 gradë në disa rajone.