ZRRE u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve për kursim të energjisë elektrike
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka bërë thirrje që qytetarët dhe bizneset të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë kësaj periudhe kur konsumi shënon rritje të ndjeshme.
Kjo thirrje vjen pas një takimi koordinues të Bordit të ZRRE-së me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përkatësisht me përfaqësuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).
Sipas njoftimit, takimi është mbajtur më 24 dhjetor 2025 dhe ka pasur për qëllim vlerësimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, e cila tradicionalisht shoqërohet me rritje të konsumit. Gjatë diskutimeve janë trajtuar sfidat kryesore që mund të paraqiten në rrjetin energjetik, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore, kufizimet teknike të rrjetit, balancimin mes prodhimit, importit dhe konsumit, si dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e ndërmarrjeve energjetike kanë prezantuar kapacitetet teknike dhe operative, si dhe masat parandaluese të ndërmarra për të garantuar stabilitetin e furnizimit. Ndërkohë, ZRRE ka kërkuar nga operatorët përgjegjës që të hartojnë dhe përditësojnë planet e menaxhimit të gjendjes për situata të mundshme të paparashikuara.
ZRRE thekson se kursimi i energjisë, veçanërisht gjatë orëve të ngarkesës maksimale, ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit energjetik dhe në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë konsumatorët. Zyra ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe bashkëpunimin e ngushtë me të gjithë operatorët e sektorit për të garantuar furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike.











