ZRRE kundërshton OEK-un: Rikthimi i bizneseve në tarifa të rregulluara do të rëndonte faturat e familjarëve
Oda Ekonomike e Kosovës ka paraqitur kallëzim penal ndaj kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahut, dhe anëtarëve të tjerë, duke i akuzuar për moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë. Sipas OEK-ut, mosveprimi i Bordit përbën keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkelje të detyrave, mashtrim dhe cenim të interesit ekonomik publik. Organizata thekson se bizneset po paguajnë deri në 200 për qind më shumë për energjinë, ndërsa vendimet e ZRRE-së po i ekspozojnë qytetarët ndaj faturave rekord.
Sidoqoftë, në përgjigjen zyrtare që ZRRE i ka dërguar OEK-ut, institucioni thekson se aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk ka kërkuar pezullimin e liberalizimit, as rikthimin e konsumatorëve të biznesit në shërbimin universal. ZRRE sqaron se Gjykata ka refuzuar edhe kërkesën për ta shfuqizuar njoftimin e publikuar më 12 mars 2025, duke vlerësuar se ai nuk krijon detyrime të reja për konsumatorët. Sipas rregullatorit, rikthimi i bizneseve në tarifa të rregulluara do të shkaktonte rritje të çmimeve për rreth 750 mijë konsumatorët familjarë.










