Zjarr në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, situata nën kontroll
Një zjarr ka shpërthyer sot në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm të ekipeve emergjente. Sipas QKUK-së, zjarri ka përfshirë një bojler të vendosur mbi kulmin e Klinikës së Pediatrisë.
Mirlinda Qyqalla nga Zyra për Media në QKUK ka bërë të ditur se, menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin në kohë të shpejtë.
Ajo ka theksuar se situata është vënë plotësisht nën kontroll dhe se nuk ka persona të lënduar. Po ashtu, pavarësisht incidentit, aktiviteti në Klinikën e Pediatrisë po zhvillohet normalisht dhe nuk paraqitet asnjë rrezik për pacientët apo stafin.










