Zgjedhjet e 28 dhjetorit – KQZ hap afatin për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka nisur periudha 11-ditore për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda së njëjtës komunë, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Ky afat zgjat nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor 2025.
https://qv.kqz-ks.org/sq/PollingCenter/ActualPollingCenter
Gjatë këtij intervali, votuesit mund të kontrollojnë se në cilën qendër do të votojnë dhe, nëse kanë nevojë, ta ndryshojnë atë me një lokacion tjetër më afër vendbanimit të tyre. Kërkesa mund të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së ose në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve të komunës ku votuesi është i regjistruar.
KQZ thekson se ndërrimi i Qendrës së Votimit midis komunave nuk mund të kryhet nga vetë institucioni, pasi kjo kërkon ndryshimin e adresës zyrtare të vendbanimit nga qytetari. Ky proces bëhet në Zyrën e Gjendjes Civile ose përmes platformës E-Kosova.
Ndryshimet e bëra gjatë periudhës 26 nëntor – 6 dhjetor do të përditësohen në platformën elektronike të KQZ-së pas përfundimit të afatit.











