Zëvendësambasadori gjerman Bottcher takon komandantin Jashari, diskutohet e ardhmja e FSK-së
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Bottcher, ka zhvilluar një takim me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ku u diskutua procesi i transformimit të FSK-së dhe perspektiva e saj në të ardhmen.
Sipas njoftimit të Ambasadës gjermane, komandanti Jashari ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumëvjeçare që Gjermania i ka dhënë zhvillimit dhe forcimit të FSK-së.
Nga ana e tij, Bottcher ka rikonfirmuar përkushtimin e Gjermanisë për të qëndruar përkrah Kosovës, duke theksuar se institucionet e sigurisë së vendit shihen si pjesë e një arkitekture të përbashkët dhe të integruar evropiane të sigurisë. Ai ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin e fortë dhe konstruktiv ndërmjet Gjermanisë dhe FSK-së.











