Zenit rrezikon dënim për fyerjet e tifozëve ndaj Mirlind Dakut
Komiteti i Kontrollit dhe Disiplinës i Federatës Ruse të Futbollit (RFU) do të shqyrtojë sjelljen e tifozëve të Zenit St. Petersburgut, të cilët ofenduan sulmuesin shqiptar të Rubin Kazanit, Mirlind Daku, gjatë ndeshjes së Kupës së Rusisë.
Më 12 gusht, Zenit mposhti Rubin Kazanin 3-0 në Shën Petersburg. Daku shënoi një gol që u anulua nga VAR-i, gjë që shkaktoi fyerje nga tifozët vendas ndaj 27-vjeçarit, i cili më herët kishte qenë në negociata për një transferim te Zeniti, por marrëveshja dështoi.
Kryetari i komitetit, Artur Grigoryants, ka konfirmuar se rasti do të trajtohet në mbledhjen e 20 gushtit, ku pritet të merret vendim për dënimin e Zenitit. Në të njëjtën mbledhje do të shqyrtohen edhe thirrjet fyese të tifozëve të CSKA-së ndaj Spartakut të Moskës.











