#Botë

Zelensky: SHBA-ja ka vendosur afat deri në qershor për arritjen e një marrëveshjeje për luftën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara u kanë dhënë Ukrainës dhe Rusisë afat deri në qershor për të arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës.

Sipas raportimit të Associated Press, nëse ky afat nuk respektohet, administrata e presidentit amerikan Donald Trump pritet të ushtrojë presion mbi të dyja palët për të arritur një marrëveshje.

Zelensky ka thënë se pala amerikane po propozon që lufta të përfundojë deri në fillim të verës dhe se do të bëjë gjithçka për ta realizuar këtë objektiv.

Ai shtoi gjithashtu se SHBA-ja ka propozuar që raundi i ardhshëm i bisedimeve të mbahet javën e ardhshme në territorin amerikan, ndërsa Ukraina tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Ndërkohë, bisedimet trepalëshe të zhvilluara në Abu Dhabi nuk kanë sjellë ndonjë marrëveshje të rëndësishme, pasi secila palë ka qëndruar në kërkesat e veta. Rusia po kërkon tërheqjen e Ukrainës nga rajoni i Donbasit, ku luftimet vazhdojnë të jenë intensive, një kusht që Kievi ka deklaruar se nuk do ta pranojë.