#Botë

Zelensky: Po negociojmë një marrëveshje të madhe me presidentin Trump, kjo mund të jetë pikë kthese

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se është në bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump, për një marrëveshje të rëndësishme në fushën e mbrojtjes, që do të përfshinte bashkëpunim të zgjeruar në teknologjinë e dronëve.

Në një intervistë për New York Post, Zelensky tha se marrëveshja parasheh që SHBA të blejë dronë luftarakë të prodhuar nga Ukraina, të cilët janë testuar në kushte reale lufte kundër forcave ruse. Ai tha se këta dronë janë efikasë, fleksibilë dhe më të përballueshëm financiarisht krahasuar me platformat perëndimore.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Ukraina do të blinte armë amerikane, përfshirë sisteme të avancuara mbrojtëse dhe sulmuese, që do të rrisnin aftësitë mbrojtëse të vendit kundër agresionit rus.

Zelensky tha se kjo marrëveshje do të përmirësonte ndjeshëm kapacitetet ajrore të të dyja vendeve. Sipas tij, SHBA do të përfitonte nga përvoja e Ukrainës në luftë dhe zhvillimi i teknologjive në kushte reale, ndërsa Ukraina do të fitonte qasje në teknologji moderne amerikane.

Ai shtoi se një bashkëpunim më i ngushtë me SHBA-në nën udhëheqjen e Trump mund të ndikojë në ndryshimin e ekuilibrave ushtarakë në rajon.

Ndryshe, Ukraina dhe SHBA tashmë kanë nënshkruar një marrëveshje për shfrytëzimin e mineraleve strategjike ukrainase.