Zbulohen eshtra në Brekoc të Gjakovës, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës
Gjakovë – Në fshatin Brekoc është realizuar një operacion ekshumimi nga Sektori për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Gjatë gërmimeve të kryera më 30 korrik 2025, në bazë të një urdhërese të gjykatës, janë zbuluar eshtra njeriu që dyshohet se i përkasin së paku një personi të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë.
Eshtrat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim mjekoligjor dhe identifikim përmes analizave forenzike.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për të identifikuar viktimën dhe për të ndriçuar rrethanat e zhdukjes.











