Zbulohen barna të kontrabanduara në Gjilan dhe Viti, vlera mbi 4000 euro
Një sasi e konsiderueshme barnash të dyshuara si të kontrabanduara është zbuluar dhe sekuestruar gjatë një operacioni të përbashkët të Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në dy barnatore në qytetin e Gjilanit dhe Vitisë.
Gjatë kontrollit të realizuar nga Task Forca në ambientet e brendshme të këtyre barnatoreve, janë gjetur barna të fshehura për të cilat nuk ishte paraqitur asnjë dokumentacion doganor. Dyshohet se këto barna janë futur në territorin e Kosovës në mënyrë të paligjshme, duke shmangur procedurat e importit dhe detyrimet doganore.
Sipas vlerësimeve fillestare, vlera e barnave të sekuestruara arrin mbi 4000 euro. Dogana e Kosovës ka nisur procedurat hetimore ndaj pronarit të subjektit, ndërsa është njoftuar edhe prokuroria për veprime të mëtejshme ligjore.
Task Forca, e përbërë nga Dogana dhe Policia, thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, në mbrojtje të tregut të ligjshëm dhe sigurisë së qytetarëve.














