#Lajme

Zafir Berisha: Jam në bisedime me PDK-në dhe VV-në në Prizren, nesër i marr “gërshërët te kovaçi”

Kryetari i Bashkimit Demokratik të Prizrenit (BDP), Zafir Berisha, ka bërë të ditur se është në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për një mundësi bashkëpunimi në prag të balotazhit të 9 nëntorit në Prizren.

Në një prononcim për IndeksOnline, Berisha tha se brenda dy ditëve të ardhshme pritet të marrë një vendim përfundimtar.

“Jam në bisedime me dy partitë, brenda këtyre dy ditëve do të vendosim. Nesër i marr gërshërët te kovaçi,” deklaroi ai me humor.

BDP-ja, nën drejtimin e Berishës, ka arritur të sigurojë 3 ulëse në Kuvendin Komunal të Prizrenit, duke u konsideruar si një faktor i rëndësishëm në balotazhin e ardhshëm.

Në zgjedhjet e 12 tetorit, Berisha mori 3,123 vota në garën për kryetar të komunës.

Pas përfundimit të numërimit të votave, Shaqir Totaj i PDK-së prin me 41.45%, ndërsa kundërkandidati i tij, Artan Abrashi i VV-së, ka 30.39% të votave.

Ndërkohë, LDK-ja në Prizren ende nuk ka marrë vendim lidhur me qëndrimin e saj për balotazhin e 9 nëntorit.