Xabi Alonso mbron Viniciusin dhe kritikon Simeonen pas tensioneve në Superkupë
Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka dalë në mbrojtje të Vinicius Junior pas përplasjes verbale që sulmuesi brazilian pati me trajnerin e Atletico Madridit, Diego Simeone, gjatë gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës.
Real Madridi triumfoi 2-1 ndaj Atletico Madridit, duke siguruar kualifikimin në finalen e madhe të Superkupës, ku do të përballet me Barcelonën në një tjetër El Clasico me vlerë trofeu. Megjithatë, ndeshja u shoqërua me tensione të shumta që nga minutat e para, përfshirë edhe përplasjen mes Viniciusit dhe Simeones.
Sipas raportimeve të mediumit COPE, trajneri argjentinas i është drejtuar Viniciusit me fjalët: “Florentino Pérez do të të largojë, mbaje mend fjalët e mia”, deklaratë që ka rritur edhe më shumë polemikat pas ndeshjes.
Në konferencën për shtyp pas takimit, Xabi Alonso reagoi ndaj incidentit, duke shprehur pakënaqësi për sjelljen e Simeones. “Nuk më pëlqeu ajo që ndodhi. Cholo i tha diçka dhe këto gjëra bien ndesh me frymën që duhet të ekzistojë mes kolegëve”, u shpreh trajneri i Realit.
Alonso shtoi se nuk është e pranueshme që lojtarëve t’u flitet në atë mënyrë, duke theksuar se jo çdo gjë mund të justifikohet në emër të rivalitetit.











