#Lajme

Westerlund: Integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe të bëhet përmes dialogut

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka deklaruar se integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës duhet të realizohet në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në një diskutim në Qendrën Mediale, ai tha se ligji i Kosovës duhet të zbatohet në të gjitha 38 komunat, duke theksuar se integrimi duhet të bëhet përmes dialogut dhe në bashkëpunim me komunitetet lokale. Westerlund e vlerësoi pozitivisht faktin që mjekë dhe profesorë serbë kanë marrë licenca nga institucionet e Kosovës.

Edhe nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, e cilësoi integrimin të pashmangshëm, por theksoi se ai duhet të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti u ka paraqitur ambasadorëve synimet për nisjen e integrimit gradual, duke kërkuar koordinim me Bashkimin Evropian.