VV: S’ka amnisti për manipulimin e votës, hetimet të shkojnë deri në fund
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka reaguar lidhur me dyshimet për manipulime votash brenda subjekteve politike, duke theksuar se komisionerët apo individët e përfshirë në veprime klandestine që dëmtojnë kolegë apo subjekte politike nuk do të kenë amnisti.
Nga kjo parti kanë inkurajuar institucionet përgjegjëse që hetimet të zhvillohen plotësisht dhe pa kompromis, në funksion të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor.
VV thekson se ka qenë dhe do të mbetet gardiane e vullnetit politik të qytetarëve të shprehur përmes votës, duke nënvizuar se Republika e Kosovës është shembull i demokracisë dhe i proceseve zgjedhore në rajon.
Sipas deklaratës, adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për çdo rast të dyshuar të manipulimit është i domosdoshëm, ndërsa vullneti i qytetarëve dhe vota e lirë do të mbrohen deri në fund. VV kërkon që të gjitha dyshimet të hetohen dhe përgjegjësit të ndëshkohen, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.








