VV: Shqipëria duhet ta ngrejë çështjen e Gjykatës Speciale në forume ndërkombëtare, jo në sheshin “Skënderbej”
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për protestën që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, por ka kërkuar që çështja e Gjykatës Speciale të trajtohet në forume ndërkombëtare dhe jo në rrugë.
Në një komunikatë për media, VV rikujtoi se Gjykata Speciale nuk u krijua vetvetiu, por ka origjinën në një rezolutë të vitit 2008 në Këshillin e Evropës, të propozuar nga kryesuesi rus Konstantin Kosachev, e cila më pas u miratua si raport nga Dick Marty në vitin 2011.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Pretendimet e Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal janë të padrejta dhe të pavërteta”, thuhet në deklaratën e lëvizjes, ku theksohet se për krimet e luftës duhet të gjykohet Serbia, “shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive ndaj popullit të Kosovës”.
VV ka kërkuar reflektim nga ata politikanë që në të kaluarën kanë mbështetur themelimin e Gjykatës Speciale, duke përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin thuhet se “kishte ardhur në Kosovë me helikopter për të bindur palët që të votonin pro themelimit të saj”.
“Para se të protestojnë, këta aktorë duhet të tregojnë pendesë për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën,” thekson VV, duke shtuar se qëndrimi i saj ndaj Gjykatës ka mbetur i pandryshuar që nga viti 2015.
Sipas VV-së, institucionet e Shqipërisë, si shtet anëtar i OKB-së, NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, kanë mundësi dhe përgjegjësi që këtë çështje ta ngrenë në forume ndërkombëtare, “aty ku flitet për drejtësi, e jo në sheshin ‘Skënderbej’”.
Në fund, lëvizja ka kërkuar që edhe shtetet mike të Kosovës të bëjnë më shumë për mbrojtjen e të vërtetës së luftës së UÇK-së dhe për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë e në mbarë Ballkanin.











