#Lajme

VV-ja thyen rekordin e votave, mbi 447 mijë vota në historinë e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur një rekord të ri në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar më shumë se 447 mijë vota dhe duke u bërë subjekti i parë në histori të Kosovës që arrin këtë shifër. Aktualisht, në përqindje, VV ka marrë 50 për qind të votave.

Rekordi paraprak mbahej gjithashtu nga kjo parti në vitin 2021, kur kishte marrë 438 mijë e 335 vota apo 50.28 për qind të votave. Në zgjedhjet e shkurtit 2025, VV ishte gjithashtu partia e parë, por me 396 mijë e 787 vota ose 42.3 për qind.

Edhe Albin Kurti, kandidat i VV-së për kryeministër, ka thyer rekordin personal duke u bërë personi më i votuar në historinë e Kosovës me mbi 367 mijë vota, rreth 30 mijë më shumë se në zgjedhjet e kaluara.

Në vendet e tjera, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë mbi 185 mijë vota, Lidhja Demokratike mbi 120 mijë vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës rreth 50 mijë vota.