Vrasja e 19-vjeçarit në Vushtrri, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj të dyshuarit Bleon Dibrani
Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj Bleon Dibranit, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 23 mars 2025, rreth orës 20:30, në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta 19-vjeçarin A.Z., duke e qëlluar tri herë me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra në mushkëri dhe mëlçi, viktima ka pësuar gjakderdhje masive dhe pamjaftueshmëri të menjëhershme respiratore, duke ndërruar jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë.
Nga të shtënat e të pandehurit në rrugë publike është rrezikuar edhe jeta e personave të tjerë.
Gjatë arrestimit, policia i ka sekuestruar Dibranit armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra, e cila ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Armë.
Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.











