#Lajme

Vrajolli: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, interes strategjik që ul kostot në Ballkan

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përbënte një interes strategjik për aleancën, duke ulur kostot e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe duke ofruar resurse të reja për vendet anëtare.

Vrajolli ka vlerësuar se Ushtria e Kosovës, e zhvilluar me kapacitete të trajnuara në akademitë ndërkombëtare, e bën vendin një aset të vlefshëm për NATO-n, sidomos në një periudhë pasigurie globale. Ai gjithashtu ka theksuar progresin e dukshëm të Kosovës në sektorin e mbrojtjes, përfshirë mbështetjen e SHBA-së për pajisje ushtarake.

Sipas tij, perspektiva e anëtarësimit në NATO nuk varet vetëm nga Kosova, por edhe nga përkrahja e fuqive kryesore të aleancës, si SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania. Vrajolli ka përmendur rastin e Suedisë si shembull se NATO mund të arrijë kompromis kur ka vullnet politik nga shtetet kryesore, duke tejkaluar sfida si vetoja e Turqisë.