#Lajme

Votimi jashtë vendit, KQZ jep përditësimin e fundit për numërimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga përfaqësitë diplomatike.

Sipas KQZ-së, votimi është zhvilluar më 27 dhjetor 2025 në gjithsej 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete. Nga 19,187 shtetas të regjistruar për të votuar, 16,165 kanë ushtruar të drejtën e votës, që përbën 84.24 për qind të pjesëmarrjes.

Këto fletëvotime aktualisht janë në proces numërimi, ndërsa në fazën pasuese do të vazhdojë edhe numërimi i votave të ardhura me postë nga Berlini dhe Berna.

KQZ ka bërë të ditur se deri më 2 janar 2026, në orën 10:00, janë procesuar mbi 90 për qind e vendvotimeve. Numërimi ka përfunduar në 32 komuna, ndërsa në disa të tjera procesi është ende në zhvillim dhe pritet të përmbyllet gjatë fundjavës.