Von der Leyen pas takimeve me Osmanin dhe Kurtin: Kosova duhet të ulë tensionet dhe të ndërtojë institucione të forta
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në Kosovë pas takimeve që zhvilloi sot me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Gjatë vizitës së saj diplomatike në Prishtinë, von der Leyen theksoi rëndësinë e forcimit të institucioneve dhe përkushtimit ndaj integrimit evropian.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta dhe të ulë tensionet në vend,” deklaroi ajo.
Kreu i Komisionit Evropian shtoi se Kosova duhet të përmbyllë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, duke theksuar se BE-ja mbetet e gatshme të mbështesë vendin në këtë proces.










