#Botë

Von der Leyen: BE do të ndërtojë fabrika të Inteligjencës Artificiale në Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka premtuar investime të reja strategjike në Ballkanin Perëndimor, përfshirë ngritjen e fabrikave të Inteligjencës Artificiale (AI) në rajon.

Gjatë fjalës së saj në Forumin e parë të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, Von der Leyen u bëri thirrje sipërmarrësve evropianë të investojnë në vendet e rajonit, duke theksuar se “nëse zgjidhni Ballkanin Perëndimor, zgjidhni Evropën”.

Ajo njoftoi se dy fabrika të para të AI-së do të ndërtohen në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, ndërsa projekti do të zgjerohet më pas në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, qëllimi është që rajoni të bëhet pjesë e zhvillimit të shpejtë teknologjik që po përjeton Evropa.

“Të gjitha vendet që janë bërë pjesë e BE-së kanë përjetuar një rritje të jashtëzakonshme ekonomike. E njëjta do të ndodhë edhe me Ballkanin Perëndimor. Ekonomitë tuaja do të rriten me shpejtësi. Ne kemi miratuar planin për këtë arsye – për të hapur sektorët tanë ekonomikë për bizneset tuaja,” theksoi ajo.

Von der Leyen bëri të ditur se BE do të nënshkruajë 10 marrëveshje të rëndësishme biznesi dhe do të diskutojë 24 projekte të mundshme investimi që synojnë të forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe të rrisin mundësitë për kompanitë lokale.

“Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani. Dua që e ardhmja e AI të ndërtohet në Evropë, dhe Ballkani Perëndimor të jetë në zemër të saj,” deklaroi presidentja e Komisionit Evropian.