Vodhi veturë në Podujevë, arrestohet në Vushtrri – rezulton me urdhër-arrest
Një veturë e tipit VW Passat, me vlerë rreth 4 mijë euro, është vjedhur në orët e para të 9 gushtit në fshatin Gllamnik të Podujevës. Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë autorin e dyshuar, duke e rikthyer automjetin te pronari.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar rreth orës 03:00 nga A.K. (53 vjeç), i cili ka deklaruar se, gjatë kohës sa ishte në tualet, një person ia kishte marrë çelësat e veturës, e cila më pas nuk ishte më në parkingun ku e kishte lënë.
Hetimet kanë çuar në identifikimin e të dyshuarit Sh.D. (45 vjeç), i cili është arrestuar në shtëpinë e tij në Vushtrri. Gjatë intervistimit, ai ka pranuar vjedhjen, duke treguar se automjetin e kishte lënë në parkingun e një lokali në Fushë Kosovë. Mjeti është sekuestruar dhe i është kthyer pronarit, ndërsa pronari i lokalit është marrë në pyetje si dëshmitar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është klasifikuar si “Vjedhje”. Pas verifikimeve, është konstatuar se i dyshuari kishte urdhër-arrest nga Stacioni Policor i Vushtrrisë, ku do të trajtohet sipas procedurave ligjore.










