#Lajme

Viti 2025, kthesë historike për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë

Viti 2025 është vlerësuar si një moment kthese për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pas rrëfimit publik të Ramadan Nishorit nga Drenasi, i cili për herë të parë theu heshtjen pas më shumë se 26 vjetësh.

Nishori, rreth të pesëdhjetave, foli publikisht më 14 prill, në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, duke ndarë përvojën e tij para opinionit publik. Pas daljes së tij, ai ka deklaruar se ndihet më i lirë shpirtërisht dhe i befasuar nga përkrahja e madhe e qytetarëve.

Sipas tij, rrëfimi ka nxitur edhe burra e gra të tjerë që të kërkojnë ndihmë në organizata të specializuara, për mbështetje psikologjike dhe juridike, si dhe për të aplikuar për njohjen e statusit të viktimës. Ai ka theksuar se dalja publike nuk është e domosdoshme për secilin të mbijetuar, por se hapi i parë mbetet kërkimi i ndihmës profesionale.

Ai ka bërë të ditur se jeta e tij ka ndryshuar ndjeshëm pas 14 prillit të vitit të kaluar dhe se, po ta kishte ditur përkrahjen që do ta merrte, do të kishte folur shumë më herët. Nishori ka vlerësuar se mbështetja shoqërore është vendimtare për thyerjen e heshtjes dhe përballjen me traumën.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka deklaruar se rrëfimi i tij ka thyer një tabu të rëndësishme, duke dëshmuar se edhe burrat kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Ajo ka shtuar se pas këtij rrëfimi janë paraqitur për herë të parë shumë burra dhe gra për të kërkuar ndihmë dhe për të ushtruar të drejtat e tyre.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që nga fillimi i procesit në vitin 2018 janë pranuar gjithsej 2396 aplikacione, ndërsa statusi i viktimës u është njohur 1884 personave, prej tyre 1776 gra dhe 108 burra.

Rushiti ka theksuar se viti i kaluar ka qenë edhe vit i drejtësisë, me dënime të shqiptuara për autorët e krimeve të dhunës seksuale dhe aktakuza të tjera që vazhdojnë të jenë në proces, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes profesionale për të mbijetuarit edhe shumë vite pas luftës.