Vijon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot pritet të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ashtu siç parashihet në kalendarin zyrtar të gjykatës.
Në seancën e djeshme, në cilësinë e eksperteve, dëshmuan dy dëshmitaret e mbrojtjes së viktimave. Ato prezantuan pjesë nga raporti i tyre i përgatitur për këtë çështje, ku theksohej se refugjatët nga ish-Jugosllavia kishin shkallë më të lartë të problemeve të shëndetit mendor krahasuar me ata nga zona të tjera konflikti.
Sipas raportit, rreth 65% e popullsisë së Kosovës ka përjetuar ngjarje traumatike gjatë luftës, çka ka rezultuar në një numër të lartë të personave të traumatizuar – mes 200 mijë dhe 400 mijë individë. Këto të dhëna janë bazuar në hulumtime të kryera lidhur me ndikimin psikologjik të luftës.
Rikthimi në mbajtje të seancave vjen pas vendimit të djeshëm të trupit gjykues për të refuzuar mocionin e mbrojtjes që kërkonte rrëzimin e aktakuzës.











