Vihet gurthemeli i projektit “Hambari i Luginës” në Preshevë, investim mbi 720 mijë euro
Në Preshevë është vendosur gurthemeli i projektit ekonomik “Hambari i Luginës”, një pikë grumbulluese për produktet bujqësore që pritet të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin e bujqësisë në Luginë të Preshevës. Projekti, me vlerë mbi 720 mijë euro, bashkon 100 aksionarë shqiptarë nga rajoni dhe diaspora.
Ngjarja u zhvillua në kuadër të Konferencës së III-të Ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën”, të organizuar nga Unioni i Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Sipas organizatorëve, pika grumbulluese do të shërbejë për mbledhjen, klasifikimin dhe më pas eksportimin e produkteve bujqësore drejt tregjeve perëndimore.
Kryetari i Unionit të Afaristëve, Xhelal Mehmeti, theksoi se ideja për projektin ka lindur nga diskutimet e konferencave të mëparshme, që kishin për synim fuqizimin e sektorit bujqësor.
“Zhvillimi i bujqësisë nuk mund të bëhet pa një qendër të tillë grumbullimi dhe eksporti. Falë bashkëpunimit me bizneset në diasporë dhe në Luginë, kemi vendosur kontakte me distributorë që do të marrin produkte në sasi të caktuara,” u shpreh Mehmeti.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për ekonominë lokale.
“Kjo nuk është vetëm një vendosje simbolike e gurthemelit, por fillimi i një vizioni të ri për Luginën. Ky objekt do t’u mundësojë bujqve tanë të ruajnë dhe shesin produktet e tyre në kushte të favorshme. Komuna është e gatshme të bashkëpunojë dhe ta mbështesë këtë nismë,” tha Pajaziti.
Biznesmeni Albin Hetemi, pjesë e projektit, u zotua se objekti do të vihet sa më shpejt në funksion.
“Për bujqit e Luginës kjo është një mundësi e re për tregtimin e produkteve. Synimi ynë është që shumë shpejt ky objekt të jetë gati për përdorim,” deklaroi ai.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje, në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë u zhvillua edhe Konferenca e III-të Ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës”, me pjesëmarrjen e sipërmarrësve nga të gjitha trojet shqiptare.











