#Lajme

“Vendime absurde” dhe “hije politike e opozitës” – Polemikat e fundit rreth Kushtetueses dhe reagimet ndërkombëtare

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është vënë në qendër të sulmeve politike pas vendimeve të saj të fundit, të cilat pezulluan veprimet e deputetëve dhe bllokuan procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca, e akuzuan Gjykatën se po vepron si “hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”, duke e quajtur vendimin e fundit “absurd dhe të dëmshëm”. Konjufca paralajmëroi madje se një interpretim i gabuar i Kushtetutës do të sillte pasoja të rënda për sovranitetin e Kosovës, duke i dhënë Listës Serbe të drejtën e vetos.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani kujtoi se pavarësisht pakënaqësive, vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen plotësisht, duke theksuar se kritikat profesionale janë pjesë e normave demokratike.

Në një reagim zyrtar, Kushtetuesja paralajmëroi kundër çdo presioni politik, duke theksuar se pavarësia e saj është themel i shtetit të së drejtës dhe se çdo ndërhyrje cenon besimin e qytetarëve në demokraci.

Reagimet erdhën edhe nga partnerët ndërkombëtarë. BE-ja dhe EULEX kërkuan respektim të plotë të pavarësisë së gjyqësorit, duke e cilësuar të papranueshme çdo sulm personal ndaj gjyqtarëve.

Nga ana tjetër, opozita e djeshme – sot në pushtet – akuzoi Kurtin për shmangie të përgjegjësive. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se “për bllokimin e institucioneve përgjegjësia ka një emër: Albin Kurti”, ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e krahasoi retorikën e tij me shprehjen popullore “hajni bërtet, kapeni hajnin”.

Gjykata Kushtetuese vendosi të premten të pezullojë funksionimin e Kuvendit deri më 30 shtator, pas ankesës së Listës Serbe, e cila nuk mori mbështetje për nënkryetarin e saj.