#Lajme

Vdekja e dy punëtorëve në Gjakovë – ndalohen dy persona për 48 orë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me vdekjen tragjike të dy punëtorëve në një vendpunim, ngjarje e cila ndodhi më 21 korrik 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas marrjes së informacionit nga Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, Prokurori kujdestar, njësitet përkatëse të Policisë si dhe Inspektorati i Punës.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se janë ndaluar dy persona për një periudhë 48-orëshe, të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Brenda afatit ligjor të paraparë, ndaj tyre pritet të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Hetimet po vazhdojnë në koordinim të ngushtë mes Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.