Vazhdon numërimi i votave me postë në QNR
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vijon procesi i numërimit të pjesës së dytë të fletëvotimeve që i përkasin votimit jashtë Kosovës, konkretisht atij përmes postës.
Sipas të dhënave, në këtë fazë po përfshihen fletëvotimet e tërhequra nga kutitë postare jashtë vendit më 2 dhe 5 janar 2026, të cilat tashmë janë dërguar në Kosovë.
Më 2 janar, nga nëntë kuti postare në qytete të ndryshme evropiane dhe botërore, janë tërhequr gjithsej 8,180 pako me fletëvotime, ndërsa më 5 janar, nga 13 kuti postare të tjera, janë marrë edhe 11,867 pako.
Autoritetet bëjnë të ditur se pjesa më e madhe e këtyre pakove tashmë ka arritur në Kosovë dhe ka kaluar procesin e verifikimit. Deri tani, rreth 16 mijë pako janë aprovuar dhe janë duke u numëruar.
Ndërkohë, ende nuk kanë mbërritur në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, të tërhequra nga kutitë postare në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Otavë, të cilat pritet të sillen për procedim në ditët në vijim.











