Valë e të nxehtit afrikan përfshin Kosovën – IHMK apelon për kujdes dhe shmangie nga dielli
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë kësaj jave vendi do të përballet me një valë të fuqishme të të nxehtit, për shkak të masave të ajrit të ngrohtë që po vijnë nga Afrika Veriore.
Sipas IHMK-së, kjo situatë është rezultat i qarkullimeve atmosferike që po favorizojnë depërtimin e ajrit tropikal drejt veriut. Më konkretisht, një sistem i presionit të lartë atmosferik mbi pjesën qendrore dhe jugore të Mesdheut po ndihmon në zhvendosjen e masave të nxehta subtropikale nga shkretëtira e Saharasë drejt rajonit të Ballkanit, përfshirë edhe territorin e Kosovës.
Kjo gjendje meteorologjike, e zakonshme për stinën e verës, pritet të sjellë temperatura të larta mbi mesataren sezonale, mungesë reshjesh si dhe rritje të rrezikut për thatësira dhe zjarre në zona pyjore dhe bujqësore. Ekspertët paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të ketë pasoja për shëndetin publik, veçanërisht për grupet më të ndjeshme si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Gjithashtu, indeksi i rrezeve ultravjollcë (UV) pritet të jetë shumë i lartë. IHMK rekomandon qytetarët të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell në orët më të nxehta të ditës, nga ora 09:00 deri në 17:00, dhe apelon për kujdes të shtuar ndaj ndezjes së zjarreve në natyrë, pasi kushtet janë të favorshme për përhapje të shpejtë të tyre.











