#Ballina #Lajme

Ushtar i FSK-së braktis trajnimin në SHBA dhe nuk kthehet në Kosovë

Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka krijuar një situatë të pazakontë pas vendimit për të mos u kthyer nga një trajnim zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas burimeve të ATV-së, ushtari ishte pjesë e një grupi të FSK-së që po qëndronte në SHBA për trajnim profesional. Megjithatë, ai është ndarë nga grupi dhe ka vendosur të qëndrojë ilegalisht në SHBA, ku besohet se ka gjetur strehim te të afërmit e tij.

Burimet theksojnë se nga trajnimi është kthyer vetëm një uniformë, ndërsa ushtari ka vendosur të braktisë detyrën dhe vendin, dyshohet për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe dëshirës për një jetë më të mirë.

Ky akt është cilësuar si shkelje e rëndë disiplinore dhe ka nxitur reagime të forta në opinionin publik, duke ngritur shqetësime për reputacionin e FSK-së dhe seriozitetin e përfaqësimit të saj në misione ndërkombëtare. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me rastin.