Urime Malishevë — nënshkruhet kontrata milionëshe që zgjidh përfundimisht problemet me energjinë elektrike
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka nënshkruar sot një kontratë në vlerë prej 6,763,766.04 euro, e cila pritet të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për furnizimin me energji elektrike në Komunën e Malishevës.
Kontrata parasheh realizimin e projektit kapital “Nënstacioni i ri 220/35/10(20) kV Malishevë”, i cili do të përfshijë instalimin e një transformatori 40 MVA dhe ndërtimin e linjës së re të kyçjes 220 kV. Projekti financohet tërësisht nga KOSTT.
Ky investim e lidh Malishevën për herë të parë me rrjetin 220 kV, duke rritur ndjeshëm kapacitetet energjetike dhe duke siguruar furnizim shumë më të qëndrueshëm krahas rrjetit aktual 35 kV. Si rezultat, qytetarët dhe bizneset pritet të përfitojnë nga cilësi më e lartë e energjisë, siguri më e madhe dhe bazë më e fortë për zhvillim ekonomik.
Në nivel sistemi, projekti pritet të rrisë besueshmërinë e furnizimit, të zvogëlojë varësinë nga linjat e tensionit të mesëm, të ulë humbjet dhe të forcojë sigurinë operacionale, duke ndihmuar edhe në përmbushjen e kriterit N-1. Po ashtu, ai krijon kushte më të mira për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me objektivat afatgjata të sektorit energjetik.
Punimet pritet të zgjasin rreth 13 muaj nga startimi i projektit.











