Trump sërish pretendon se ndali luftën Kosovë–Serbi, përmend Marco Rubion – Grenell akuzon Osmanin për manipulim
Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar sërish se ka ndalur një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump përmendi Kosovën dhe Serbinë ndër vendet ku, sipas tij, ka parandaluar përshkallëzime të rrezikshme. Ai shtoi se senatori Marco Rubio po punon intensivisht në këtë drejtim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditë më parë e konfirmoi deklaratën e Trump, duke thënë se ai ka parandaluar një përshkallëzim të fundit nga Serbia ndaj Kosovës.
Mirëpo ndaj saj ka reaguar emisari amerikan Richard Grenell, i cili e akuzoi për manipulim të fjalëve të presidentit Trump. Ai kujtoi Marrëveshjen e Washingtonit të vitit 2020, për të cilën tha se ishte arritur nën udhëheqjen e Trump dhe për të cilën ky i fundit ishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe.
Grenell theksoi se Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje dhe e quajti “absurde” përpjekjen e saj për ta paraqitur sikur kishte ndodhur diçka e re.
Presidenca e Kosovës ka paralajmëruar një konferencë për media nga presidentja Osmani sapo ajo të kthehet nga vizita në SHBA, për të adresuar këto zhvillime.











