#Botë

Trump publikon të dhëna për ndihmat sociale: 46% e familjeve nga Kosova përfituese në SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka publikuar një listë me të dhëna mbi përqindjen e familjeve migrante nga vende të ndryshme që përfitojnë ndihmë sociale në SHBA.

Në listën e publikuar në rrjetin e tij social “Truth Social” përfshihen edhe Kosova dhe Shqipëria. Sipas këtyre të dhënave, 46 për qind e familjeve nga Kosova që jetojnë në SHBA marrin ndihmë sociale, ndërsa nga Shqipëria kjo përqindje është 41.3.

Trump njihet për qëndrimet e tij të ashpra ndaj migracionit të parregullt. Gjatë mandatit të tij të dytë, ai ka shtuar deportimet dhe ka vendosur kufizime të reja për shtetasit e disa vendeve.

Sipas listës së publikuar, përqindjen më të lartë të familjeve përfituese nga ndihmat sociale e ka Butani me 81.4 për qind, i ndjekur nga Jemeni me 75.2 për qind, Somalia me 71.9 për qind, Ishujt Marshall me 71.4 për qind, si dhe Republika Dominikane dhe Afganistani me nga 68.1 për qind.