#Botë

Trump përfshin ndalimin e “konfliktit” Kosovë-Serbi në arritjet e tij si president

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shfrytëzuar njëvjetorin e inaugurimit të tij për të prezantuar arritjet gjatë mandatit si presidenti i 47-të, duke përfshirë edhe ndalimin e asaj që ai e ka quajtur “konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë”.

Trump e renditi këtë ndër arritjet e tij kryesore, së bashku me shtatë luftëra të tjera që sipas tij ka ndaluar gjatë mandatit, duke theksuar se këto ishin “luftëra të pafundme” dhe duke pretenduar se meriton Nobelin për Paqe. Ai tha se ndalimi i konfliktit Kosovë-Serbi u realizua përmes paralajmërimit ndaj dy vendeve për pasojat në marrëdhëniet tregtare me SHBA-në.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar më herët se në fund të majit 2025 kishte marrë informacione të reja mbi planet e Serbisë për përshkallëzim, duke koordinuar menjëherë me institucionet e sigurisë dhe aleatët ndërkombëtarë për të parandaluar situatën.