#Botë

Trump paralajmëron sulme tokësore kundër karteleve të drogës në Venezuelë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve tokësore kundër karteleve të drogës në Venezuelë, duke konfirmuar raportimet e New York Times për operacione të fshehta të CIA-s në këtë vend.

“E kemi detin nën kontroll, tani po mendojmë për tokën,” tha Trump, duke akuzuar Venezuelën se po kontrabandon drogë në drejtim të SHBA-së.

I pyetur nëse kishte planifikuar të vriste presidentin venezuelas Nicolas Maduro, Trump refuzoi të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke thënë se “nuk do të ishte serioze të flisja për këtë”.

Presidenti Maduro reagoi ashpër, duke e akuzuar Uashingtonin dhe CIA-n për tentativë për grusht shteti dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Venezuelës. “Amerika Latine refuzon çdo formë ndërhyrjeje ushtarake dhe ndryshim regjimi,” tha ai.

Sipas burimeve në Karakas, të paktën 27 persona kanë humbur jetën gjatë sulmeve amerikane ndaj disa anijeve pranë bregdetit të Venezuelës. Ndërkohë, Uashingtoni ka pretenduar se objektivat ishin anije të përdorura nga kartelet e drogës, por deri më tani nuk janë paraqitur prova publike për këtë pretendim.