#Lajme

Trump: Izraeli mund të rifillojë luftimet në Gaza sapo ta urdhëroj unë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se do të marrë në shqyrtim mundësinë për t’i lejuar forcat izraelite të rifillojnë veprimet ushtarake në Rripin e Gazës, nëse Hamasi nuk respekton marrëveshjen për armëpushim. Në një intervistë për CNN, Trump tha se Izraeli “mund të rikthehet në terren sapo ta them fjalën”.

“Çfarë po ndodh me Hamasin – kjo do të sqarohet shpejt”, u shpreh shkurt presidenti amerikan.

Sipas autoriteteve izraelite, Hamasi nuk po zbaton plotësisht marrëveshjen për lirimin e pengjeve, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi në Tel Aviv. Si pasojë, Izraeli ka paralajmëruar reduktimin ose shtyrjen e dërgesave humanitare drejt Gazës.

Në planin 20-pikësh të propozuar nga Trump, parashihet që brenda 72 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjes, të gjitha pengjet izraelite të kthehen. Deri më tani, janë liruar 20 pengje të gjalla, ndërsa Hamasi ka dorëzuar trupat e katër personave të vdekur – njëri prej të cilëve, sipas Izraelit, nuk është ai që kërkohej. Edhe pesë trupa të tjerë pritet të kthehen më vonë.

Pas këtyre zhvillimeve, janë raportuar përleshje të ashpra mes Hamasit dhe grupeve rivale palestineze, duke përfshirë edhe ekzekutime publike të dyshuara.

Trump tha se aktualisht Hamasi “po pastron bandat e dhunshme” dhe shtoi se “po heton” nëse këto veprime përfshijnë ekzekutime të civilëve të pafajshëm.

Sipas planit të tij, Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht, ndërsa pjesëtarët e tij do të amnistohen. Kur u pyet se çfarë do të ndodhë nëse grupi nuk çarmatoset, Trump u përgjigj prerazi:

“Izraeli do të rikthehet në ato rrugë sapo ta them fjalën.”