#Botë

Trump i bën thirrje Iranit për negociata, paralajmëron për sulme më të ashpra

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me pasoja më të rënda ushtarake nëse nuk pranon të rifillojë negociatat për programin e tij bërthamor. Në një postim në rrjetet sociale të mërkurën, Trump i bëri thirrje Teheranit të ulet sa më shpejt në tryezën e bisedimeve.

Ai theksoi se SHBA-ja synon një marrëveshje “të drejtë dhe të barabartë”, e cila nuk do të lejonte Iranin të zotërojë armë bërthamore. “Koha po mbaron dhe situata është jashtëzakonisht kritike”, shkroi Trump, duke shtuar se në rast refuzimi, një sulm i ardhshëm amerikan do të ishte “shumë më i ashpër”.

Trump, i cili gjatë mandatit të tij të parë u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, njoftoi gjithashtu se një tjetër forcë detare amerikane është nisur drejt rajonit, duke rritur praninë ushtarake pranë Iranit.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se nuk ka pasur kontakte të fundit me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe se Irani nuk ka kërkuar negociata, sipas mediave shtetërore iraniane.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar nisjen e stërvitjeve ushtarake në Lindjen e Mesme, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve po rriten. Një ditë më parë, aeroplanmbajtësja amerikane “Abraham Lincoln” mbërriti në rajon, duke sinjalizuar gatishmëri të shtuar ushtarake.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *