Tri orë nga nisja e mbledhjes së Kryesisë, pa qëndrim publik nga LDK
Kanë kaluar afro tri orë nga fillimi i mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa takimi ende nuk ka përfunduar dhe nga partia nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare.
Mbledhja është thirrur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku pritet të trajtohet rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilat kjo parti u rendit e treta, si dhe përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të brendshme.
Para nisjes së takimit, nga LDK-ja ishte bërë e ditur se në rend dite do të jetë edhe diskutimi për hapat drejt organizimit të Kuvendit të ri zgjedhor, raporton IndeksOnline.
Ndërkohë, kryetari aktual Lumir Abdixhiku ka deklaruar më herët se është i gatshëm të japë dorëheqje nga posti i tij nëse një gjë e tillë kërkohet nga Këshilli Drejtues i partisë.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 13.11 për qind të votave, duke fituar 15 ulëse në Kuvend.










