Tre persona arrestohen në flagrancë për shitblerje dhe posedim të narkotikëve
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme të shitblerjes dhe posedimit të substancave narkotike. Arrestimi është bërë nga njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Prizren, në kuadër të planit operativ “Sezoni veror 2025”.
Gjatë punës operative në terren, hetuesit policorë kanë vërejtur një veturë të dyshuar me dy persona brenda. Njëri prej tyre dyshohet se i ka dorëzuar një sasi të substancës narkotike një personi të tretë që ndodhej në një veturë tjetër të parkuar afër. Pas kësaj, policia ka ndërhyrë, ndërsa dy të dyshuarit nga vetura e parë kanë tentuar të ikin nga vendi i ngjarjes, duke shkaktuar një aksident dhe dëme materiale në dy vetura të parkuara.
Në bashkëpunim me prokurorin kujdestar, është kryer bastisje në shtëpitë e dy të dyshuarve, ku janë sekuestruar dëshmi të rëndësishme:
Substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë, me peshë 2 kg e 358 gramë, e ndarë në doza për shitje (vlera e tregut ilegal rreth 11,000 euro); 115 euro para të gatshme; Një peshore elektronike; Qese dhe foli najloni për paketim të narkotikëve; Dy telefona mobilë; Një veturë me targa vendore.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës. Me vendim të prokurorit të shtetit, dy prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të dyshuarit të tretë është iniciuar procedurë e rregullt për posedim të substancës narkotike, sipas nenit 269 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.










