Tre fëmijë dorëzojnë portofolin e gjetur me dokumente dhe 614 euro
Tre fëmijë kanë treguar një shembull të rrallë ndershmërie duke dorëzuar në polici një portofol të gjetur në rrugë, brenda të cilit ndodheshin dokumente personale dhe 614 euro.
Sipas njoftimit të Policisë, më 18 nëntor rreth orës 12:30, qytetari I. Tërziu është paraqitur në stacionin policor duke sjellë portofolin e gjetur nga nxënësit R.T. (12 vjeçe), A.T. (11 vjeç) dhe D.T. (11 vjeç). Pas verifikimeve, policia ka arritur të identifikojë pronaren, B.M., e cila është paraqitur menjëherë dhe ka konfirmuar se dokumentet dhe paratë ishin të paprekura. Ajo i ka marrë me procesverbal zyrtar.
Pronarja ka falënderuar fëmijët dhe familjet e tyre për gjestin e ndershëm, si dhe Policinë për reagimin dhe profesionalizmin.
Policia ka shprehur mirënjohje publike ndaj fëmijëve, duke e cilësuar veprimin e tyre si human, edukativ dhe shembullor – një mesazh frymëzues për qytetarët mbi ndershmërinë dhe përgjegjësinë shoqërore.











