#Sport

Trajneri i Senegalit rrezikon përjashtim nga Botërori pas incidentit në finalen e AFCON

Pape Thiaw, trajneri i Kombëtares së Senegalit, mund të përballet me masa disiplinore nga CAF dhe përjashtim nga ndeshjet pas skenave kaotike në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës (AFCON). Senegal shpalli veten kampion të Afrikës pas fitores 1-0 ndaj Marokut, falë golit në kohën shtesë të Pape Gueye.

Situata u tensionua gjatë minutave të fundit të kohës së rregullt, kur gjyqtari Jean Jacques Ndala akordoi një penallti për Marokun. Si protestë, Thiaw urdhëroi lojtarët e tij të largoheshin nga fusha, por ylli i Liverpool-it, Sadio Mane, refuzoi të largohej. Penalltia u ekzekutua me një “Panenka” nga Brahim Diaz, e kapur nga portieri Edouard Mendy, para se Gueye të shënonte golin e fitores.

Incidenti shkaktoi kaos në tribunat e stadiumit, me tifozë senegalezë që hodhën sende në fushë. Pas ndeshjes, Thiaw kërkoi falje për incidentin, ndërsa konferenca e tij për shtyp u anulua pas një përplasjeje në dhomën e medias.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dënoi sjelljen e papranueshme dhe kërkoi që CAF të ndërmarrë masa ndaj të gjithë përgjegjësve. Trajneri Thiaw mund të marrë ndalim nga ndeshjet dhe gjobë të rëndë, ndërsa disa lojtarë mund të ndëshkohen gjithashtu. Sanksionet pritet të zbatohen pas Botërorit, pasi Senegal nuk do të luajë më ndeshje konkurruese deri në verën e vitit 2026.

Senegali do të përballet me Francën, Norvegjinë dhe një ekip nga play-off-i – Irak, Bolivia ose Surinami – në Grupin I të Botërorit 2026.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *