#Sport

Trajneri i Albacetes kishte parashikuar fitoren historike ndaj Real Madridit

Fitorja befasuese e Albacetes ndaj Real Madridit në Kupën e Mbretit ka tërhequr vëmendje të madhe, në një moment kur madrilenët po përballen me një krizë të thellë sportive, pasi u eliminuan nga gara për dy trofe brenda vetëm katër ditësh. Megjithatë, suksesi historik i skuadrës së kategorisë së dytë meriton vlerësim të veçantë.

Albacete shkroi histori në stadiumin “Carlos Belmonte”, duke mposhtur Real Madridin në mënyrë dramatike, me golin e fitores të shënuar pothuajse në sekondat e fundit të ndeshjes.

Dy ekipet nuk ishin përballur që nga viti 2005, kur Real Madridi kishte fituar 2-1, ndërsa takimi i vitit 2004 në “Santiago Bernabeu” kishte përfunduar me rezultatin bindës 6-1 për Los Blancos. Në atë skuadër të Realit bënin pjesë emra të mëdhenj të futbollit botëror si Luis Figo, Ronaldo Nazario, Michael Owen dhe Raul Gonzalez.

Në 14 përballjet e mëparshme mes dy skuadrave, Real Madridi kishte regjistruar 11 fitore, ndërsa tri ndeshje kishin përfunduar në barazim. Albacete kishte realizuar vetëm tre gola në të gjitha këto takime, shifër që u dyfishua në këtë ndeshje historike.

Pamjet e publikuara nga Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) nga dhomat e zhveshjes para ndeshjes treguan se trajneri i Albacetes, Alberto Gonzalez, kishte besuar fort në këtë sukses. Ai u kishte thënë lojtarëve se fitorja e parë në histori ndaj Real Madridit ishte e destinuar pikërisht për atë mbrëmje, duke i motivuar për të shkruar një faqe të re në historinë e klubit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *