Trainkos u ofron studentëve 50% zbritje në biletat e udhëtimit me tren
Kompania e hekurudhave Trainkos Sh.A. ka njoftuar se studentët do të mund të përfitojnë zbritje prej 50 për qind në biletat e trenit, me kusht që të plotësojnë disa kritere të përcaktuara nga kompania.
Sipas njoftimit, për të përfituar nga kjo lehtësi, studentët duhet të posedojnë kartelën e identifikimit të fakultetit për vitin akademik aktual ose fletëpagesën e semestrit përkatës.
Ndërkohë, absolventët që janë të liruar nga pagesat duhet të paraqesin vërtetim nga fakulteti që dëshmon statusin e tyre për vitin akademik përkatës.
Në rastet kur studentët nuk kanë kartelë identifikimi nga fakulteti, ata duhet të sigurojnë një vërtetim zyrtar që konfirmon statusin e tyre si studentë aktivë.
Trainkos ka sqaruar se këto kërkesa janë vendosur për të garantuar transparencë dhe verifikim të saktë të përfituesve të zbritjes.
“Falënderojmë studentët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre,” thuhet në njoftimin e Departamentit të Transportit të Udhëtarëve të Trainkos Sh.A.
Kompania thekson se kjo nismë synon të lehtësojë udhëtimet e studentëve nëpër qytetet e Kosovës dhe të nxisë përdorimin e transportit publik si një mënyrë më ekonomike dhe më e qëndrueshme udhëtimi.











