#Sport

Tifozët suedezë të entuziazmuar në Prishtinë: Shijojnë birrat dhe mikpritjen kosovare, presin fitore ndaj Kosovës

Në prag të ndeshjes mes Kosovës dhe Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, atmosfera në Prishtinë është gjallëruar nga prania e tifozëve suedezë, të cilët po shijojnë jo vetëm qytetin dhe birrat vendore, por edhe mikpritjen e ngrohtë të vendasve.

Tifozët që kanë udhëtuar nga Suedia nuk kanë kursyer fjalët e mira për Kosovën dhe pritjen që u është bërë.

“Është fantastike. Është shumë bukur. Më pëlqen Kosova, është një vend shumë i këndshëm. Shpresoj të jetë një lojë e madhe dhe me të vërtetë shpresoj të fitojmë, sepse kemi nevojë për këtë, sidomos pas barazimit me Slloveninë,” u shpreh një tifoz suedez para ndeshjes.

Entuziazmi për takimin e sotëm ishte i dukshëm edhe tek të tjerët. Një tjetër tifoz theksoi: “Njerëzit këtu janë shumë të mirë. Çka pres nga loja e sotme? Mendoj se do të fitojmë.”

Një tjetër i pranishëm në Prishtinë tha se pret një përballje të fortë, por është optimist për ekipin e tij: “Mendoj se do të jetë lojë e ngushtë, por ne do të fitojmë. Kosova është një vend shumë i bukur, me njerëz shumë të ngrohtë. Ndihemi shumë të mirëpritur.”

Atmosfera festive në kryeqytetin kosovar dhe mikpritja e ngrohtë kanë lënë mbresa të veçanta tek tifozët suedezë, të cilët shpresojnë ta përmbyllin vizitën e tyre në Prishtinë me një fitore të rëndësishme në fushën e lojës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *